Greqia mohon kërcënimet nga ambasadorja amerikane

Qeveria greke ka mohuar raportimin e “Wall Street Journal” se ambasadorja e SHBA-së në Athinë, Kimberly Guilfoyle, ka kërcënuar me rrëzimin e qeverisë greke gjatë një darke me zyrtarë grekë dhe amerikanë.
Zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, tha se nuk është ngritur kurrë çështja e një kërcënimi ndaj qeverisë dhe se një veprim i tillë nuk do të tolerohej.
“Duhet të them dhe ta bëj të qartë se nuk ka pasur kurrë asnjë çështje që lidhet me një kërcënim ndaj qeverisë greke dhe, për të qenë seriozë, një gjë e tillë nuk do të tolerohej kurrë”, deklaroi Marinakis.
Sipas “Wall Street Journal”, incidenti i pretenduar ka ndodhur gjatë një darke në Athinë në muajin mars, ku Guilfoyle është përfshirë në një debat me ministrin grek të Energjisë, Stavros Papastavrou.
Sipas burimeve të cituara nga gazeta amerikane, gjatë bisedës për rënien e qeverisë së Rumanisë, ambasadorja amerikane dyshohet të ketë thënë: “Ne mund ta bëjmë këtë me çdo vend që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”.
Papastavrou, sipas të njëjtit raportim, i është përgjigjur se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zëvendësonin qeverinë greke, e cila është zgjedhur nga qytetarët.
Avokati i Kimberly Guilfoyle ka kundërshtuar përshkrimin e bisedës të publikuar nga “Wall Street Journal”. Ndërkohë, edhe qeveria greke ka mohuar se ka pasur ndonjë kërcënim ndaj saj.
Deklaratat e Marinakis erdhën në një kohë kur raportimi ka shkaktuar reagime edhe nga partitë opozitare greke, të cilat kanë kërkuar sqarime lidhur me takimin dhe pretendimet e publikuara.
Përveç çështjes politike, artikulli i “Wall Street Journal” lidhet edhe me përpjekjet e Guilfoyle për promovimin e gazit natyror të lëngshëm amerikan në Ballkan dhe rolin e Greqisë në transportimin e gazit amerikan drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Marinakis hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për ekzistencën e ndonjë “shantazhi politik” lidhur me gazin amerikan, duke theksuar se marrëdhëniet mes Greqisë dhe SHBA-së janë strategjike dhe bazohen, sipas tij, në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.


