BE përgatit udhërrëfyes për 4 vende, Shqipëria synon mbylljen e negociatave deri në 2027

Bashkimi Europian po shqyrton një qasje të re për katër vende kandidate që ndodhen në faza të avancuara të procesit të integrimit. Sipas “Politico”, Komisioni Europian po përgatit një udhërrëfyes të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, me objektiva dhe afate orientuese për ecurinë e negociatave.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian, të cituar nga “Politico”, plani do të përcaktojë më qartë hapat që duhet të ndërmarrin katër vendet, përfshirë reformat prioritare dhe objektivat për mbylljen e fazave të ndryshme të negociatave. Në të njëjtën kohë, edhe vendet anëtare të BE-së do të kenë angazhime për të avancuar procesin.
Shqipëria ka hapur tashmë të 33 kapitujt e negociatave. Më 14 korrik, vendi mbylli përkohësisht tre kapituj: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë. Objektivi i Tiranës është përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027.
Komisioni Europian e ka cilësuar këtë një objektiv ambicioz, duke vlerësuar se Shqipëria është në rrugën për ta arritur, nëse ruan ritmin e reformave.
Sipas “Politico”, në këtë proces pritet të kenë rëndësi edhe zhvillimet e tetorit, duke përfshirë rishikimin e politikës së para-anëtarësimit dhe diskutimet e liderëve europianë mbi zgjerimin dhe reformat e brendshme të Unionit. Nëse miratohet, udhërrëfyesi i ri do të synojë t'u japë katër vendeve një kalendar më të qartë për rrugën drejt anëtarësimit.


