Detaje nga të shtënat në lokalin e shqiptarit në Athinë, urdhri u dha nga burgu?

Bota

sul-me-arme-greqi-shqiptare-2.jpg
Detaje të reja dalin nga hetimet për sulmin me armë zjarri ndaj një kafeneje në zonën e Agios Panteleimonas, në Athinë, ku mbeti e plagosur në këmbë një vajzë 10-vjeçare shqiptare.

Policia greke vijon kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e katër autorëve, të cilët mbrëmjen e së premtes hapën zjarr ndaj lokalit nga një automjet. Në momentin e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin rreth 10 persona, të gjithë shtetas shqiptar.

Sipas informacioneve të deritanishme, hetuesit dyshojnë se sulmi mund të jetë motivuar nga konflikte personale, ndërsa pista kryesore që po shqyrtohet është se urdhri për kryerjen e të shtënave mund të jetë dhënë nga një person që ndodhet në burg.

Gjatë sulmit, autorët qëlluan me armë automatike drejt lokalit dhe më pas u larguan me shpejtësi. Nga të shtënat u plagos në këmbë vajza 10-vjeçare e pronarit shqiptar të kafenesë.

E mitura u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ende nuk është përcaktuar nëse është goditur nga një plumb apo nga një copëz e shkëputur.

Rreth dy orë pas ngjarjes, policia gjeti automjetin që dyshohet se përdorën autorët të djegur në zonën e Aspropyrgos. Brenda tij u gjet edhe një kallashnikov, ndërsa autoritetet po analizojnë provat e mbledhura për të identifikuar personat e përfshirë në sulm.

ME TE LEXUARAT