Zbuloi vendndodhjen e ish-burrit për trafikantin e drogës, “Temu Barbie” dënohet për rolin në vrasjen me acid në Angli

Bota

Zbuloi vendndodhjen e ish-burrit për trafikantin e drogës, “Temu

Detaje tronditëse janë zbardhur gjatë një procesi gjyqësor në Gjykatën e Kurorës Winchester në Angli, ku një grua është dënuar për rolin e saj në një komplot që çoi në vdekjen e ish-bashkëshortit të saj pas një sulmi brutal me acid. Paris Wilson, 35 vjeçe, e njohur me nofkën “Temu Barbie”, u shpall fajtore për përfshirjen në ngjarjen ku ish-partneri i saj, Danny Cahalan, u sulmua me acid sulfurik në banesën e tij në Plymouth. Sulmi ndodhi më 21 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa në shtëpi ndodhej edhe fëmija i çiftit.

Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Wilson kishte diskutuar planin me nënën e saj Karen përpara se të vendoste t’i tregonte trafikantit të drogës Ryan Kennedy, i njohur si “Frost” ose “Frosty”, informacion mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e ish-bashkëshortit.

Mesazhet e shkëmbyera mes Wilson dhe nënës së saj zbuluan se ajo kishte dijeni për planin dhe kishte shpresuar të përfitonte financiarisht prej tij. Në një komunikim të datës 8 janar, ajo i shkruante nënës se Kennedy i kishte premtuar një shpërblim prej mijëra paundësh dhe përfitime të tjera nëse do ta ndihmonte për të gjetur Danny Cahalan.

Prokuroria argumentoi se Wilson veproi e motivuar nga lakmia, hakmarrja ose një kombinim i të dyjave. Sipas hetimeve, Cahalan kishte një rol të nivelit të mesëm në një rrjet trafikimi droge dhe i detyrohej Kennedy-t rreth 140 mijë euro pasi kishte humbur paratë e drogës për shkak të bixhozit.

Pas sulmit, Danny Cahalan pësoi djegie të rënda në pjesë të ndryshme të trupit dhe ndërroi jetë rreth dhjetë javë më vonë për shkak të plagëve. Gjykata e dënoi Paris Wilson me 9 vite burg për vrasje të paqëllimshme, duke e cilësuar si një “pjesëmarrëse kyçe” në komplot. Ndërkohë, autorët e sulmit fizik, Adedoja dhe Augustus, u dënuan me burgim të përjetshëm, përkatësisht me minimum 31 dhe 30 vite vuajtje dënimi përpara mundësisë së lirimit.

ME TE LEXUARAT