Librazhd/ Zjarri në Dardhë vijon prej gjashtë ditësh, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

Librazhd – Masivi pyjor i fshatit Dardhë, në Bashkinë e Librazhdit, vijon të jetë i përfshirë nga flakët, ndërsa zjarri ka hyrë në ditën e gjashtë.
Përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave vazhdojnë pa ndërprerje, por terreni i thyer malor, temperaturat e larta dhe era e fortë po e bëjnë ndërhyrjen mjaft të vështirë.
Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Bashkisë Librazhd, të mbështetura nga strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë në disa fronte për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt sipërfaqeve të tjera pyjore. Për shkak të terrenit të vështirë, në shumë zona ndërhyrja po kryhet në këmbë.
Deri në këto momente nuk raportohen persona të lënduar apo banesa të rrezikuara, pasi vatra e zjarrit ndodhet larg zonave të banuara.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet përkatëse për çdo vatër të re zjarri, me qëllim shmangien e dëmeve të mëtejshme në pasurinë natyrore të zonës.
Sipas shefit të zjarrfikësve, Partizan Ballolli, megjithëse terreni është i vështirë, situata është nën kontroll.


