VIDEO/ Aksident i rëndë! Një i vdekur pasi autobusi me turistë përfshihet nga flakët

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Kaliforni, ku një person ka humbur jetën. Raportohet se një autobus që po transportonte turistë u përfshi nga flakët pranë kryqëzimit të rrugëve “State Route 60” dhe “Azusa Avenue”, në zonën e Hacienda Heights.
Sipas autoriteteve, zjarri nisi në pjesën e pasme të autobusit dhe përfshiu disa rreshta sediljesh. Automjeti dyshohet se i përkiste kompanisë meksikane të transportit turistik Viajes Azteca.
Forcat e emergjencës mbërritën në vendngjarje, ku gjetën një person të pajetë. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur.
Zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll përpara se flakët të përfshinin të gjithë autobusin. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pjesën e pasme të automjetit të dëmtuar rëndë. Incidenti shkaktoi gjithashtu bllokime të trafikut në një pjesë të autostradës.
Autoritetet bëjnë të ditur se autobusi nuk ishte përfshirë në ndonjë aksident trafiku përpara se të shpërthente zjarri. Shkaku i incidentit mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e zjarrit vijojnë.


