Kush është shqiptari që u kap në Angli? U dënua për përdh'unimin e 18-vjeçares, theu urdhrin e dëbimit dhe përfundoi sërish në qeli

Një 35-vjeçar shqiptar i dënuar për përdhunimin e një vajze 18-vjeçare është rikthyer në qeli në Mbretërinë e Bashkuar, pasi autoritetet zbuluan se ai kishte thyer urdhrin e dëbimit dhe jetonte sërish atje në mënyrë të paligjshme.
Mësohet se, i dënuari Blerim Hajdarmataj, i cili përdorte edhe identitetet rreme Ben Matka dhe Rinor Hajdarmataj, u lokalizua në korrik të këtij viti në Rayleigh, Essex.
Ai u paraqit këtë të mërkurë përpara Gjykatës së Kurorës në Basildon, ku u deklarua fajtor për hyrje të paligjshme në territorin britanik si dhe për shkeljen e detyrimeve të njoftimit për personat e regjistruar si shkelës seksualë.
Blerim Hajdarmataj
Ngjarja e rëndë për të cilën ai u dënua daton në shtator të vitit 2014, kur Hajdarmataj punonte si pastrues. Gazetari Muhamed Veliu raporton se, Hajdarmataj u takua me një 18-vjeçare në një lokal në Chelmsford dhe e ftoi në banesën e tij.
Edhe pse e reja fillimisht refuzoi, mëngjesin e ardhshëm ajo u zgjua në shtratin e tij pa rroba, me marramendje dhe me dëmtime të shumta fizike, përfshirë gërvishtje, mavijosje e shenja kafshimi. Pasi arriti të largohej dhe të kërkonte ndihmë nga një makinë rastësore ndërsa Hajdarmataj e ndiqte pas, policia nisi hetimet dhe e akuzoi atë për përdhunim.
Në vitin 2016, gjatë procesit gjyqësor, ai u arratis por u dënua në mungesë, por pasi u lokalizua në Kosovë , ai u ekstradua në Britani përmes një Urdhër Arresti Evropian. Në atë kohë, policia britanike e cilësoi sjelljen e tij si "të tmerrshme dhe të neveritshme", duke dënuar veçanërisht arratisjen që i shkaktoi viktimës trauma të mëtejshme.
Pasi kreu dënimin, ai u dëbua nga Britania e Madhe në vitin 2019 me urdhër të prerë që i ndalonte rikthimin. Megjithatë, ai arriti të futej sërish fshehurazi në vend pa njoftuar autoritetet mbi vendndodhjen e tij.
Gjykatësi Richard Conley e dënoi atë me 16 muaj burg për shkeljen e detyrimeve si shkelës seksual i regjistruar, si dhe me 12 muaj burg për hyrje të paligjshme në vend (dënime që do të vuhen njëkohësisht). Pas përfundimit të këtij dënimi, autoritetet e emigracionit pritet të ndërmarrin procedurat për dëbimin e tij të sërishëm.


