Tulsi Gabbard kërkon ndjekje penale për Obamën: “U përpoq të përmbyste fitoren e Trump”

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-ve, Tulsi Gabbard, ka lëshuar një deklaratë të fortë publike ku kërkon ndjekje penale ndaj ish-presidentit Barack Obama dhe disa prej zyrtarëve kryesorë të administratës së tij, duke i akuzuar për një “konspiracion tradhtie” që synonte të delegjitimonte fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Sipas Gabbard, administrata Obama ka fabrikuar qëllimisht informacione të rreme për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, duke përdorur dosjen e shumëpërfolur të ish-agjentit britanik Christopher Steele. Ajo pretendon se këto të dhëna janë përdorur me vetëdije të plotë, pavarësisht se besohej se ishin të pabesueshme.
“Të dhënat që kemi sot tregojnë qartë se ka pasur një tentativë të qartë për një grusht institucional të heshtur. Synimi ishte të shkatërrohej legjitimiteti i presidentit të zgjedhur nga populli amerikan,” – deklaroi Gabbard.
Ajo përmendi emra të rëndësishëm si John Brennan (ish-drejtor i CIA-s), James Clapper (ish-shef i inteligjencës kombëtare), John Kerry, Susan Rice, Andrew McCabe dhe vetë Obama si pjesë të këtij operacioni.
Dokumentet që Gabbard thotë se ka dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë përfshijnë memorandume të deklasifikuara dhe raporte të pjesërisht të redaktuara për ndërhyrjet kibernetike, që sipas saj dëshmojnë se administrata Obama kishte dijeni se Rusia nuk kishte as kapacitetin dhe as synimin për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur çështja e ndërhyrjes ruse vijon të mbetet e ndjeshme në politikën amerikane. Raporti i Robert Mueller në 2019 vërtetoi ndërhyrjen “të gjerë dhe sistematike” të Rusisë në zgjedhje, por nuk gjeti prova për bashkëpunim mes fushatës Trump dhe Kremlinit.
Tulsi Gabbard, një ish-deputete demokrate me qëndrime të afërta me të djathtën, është një figurë kontradiktore në politikën amerikane. Emërimi i saj në krye të inteligjencës ka ngjallur debat të fortë për shkak të qëndrimeve të saj të mëparshme pro dialogut me Rusinë dhe deklaratave që shpesh përputhen me narrativat e Moskës.
Kjo zhvillim ndodh në një moment kur vetë Trump po përballet me akuza të reja rreth dosjeve të supozuara sekrete për lidhjet me Jeffrey Epstein – dosje që ai i ka mohuar duke i cilësuar si “trillime nga administrata Obama”.
Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Barack Obama apo ish-zyrtarët e tjerë të përmendur në deklaratën e Gabbard.


