Trump kërcënon Iranin: Nëse më vrisni, kam lënë urdhër që të bombardoheni në nivel që nuk e keni parë kurrë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se ka lënë udhëzime të qarta për mënyrën se si duhet të reagojnë Shtetet e Bashkuara në rast se Irani arrin të realizojë një plan atentati ndaj tij, duke paralajmëruar Teheranin me hakmarrje të paprecedentë.
Në një intervistë për “New York Post”, Trump tha se ka “lënë urdhra” për atë që duhet të ndodhë nëse Irani arrin të zbatojë ndonjë nga planet për ta vrarë, duke i dërguar një mesazh të ashpër Teheranit.
“Jam në listën e tyre prej shumë kohësh. Kjo është ajo me të cilën përballemi. Kam lënë urdhra që, nëse ndodh diçka, thjesht t’i bombardojnë, fjalë për fjalë, në një nivel që nuk e kanë parë kurrë më parë”, u shpreh Trump, i cili kishte bërë deklarata të ngjashme edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Ankara, me rastin e Samitit të NATO-s.
Komentet e tij erdhën pasi u pyet lidhur me raportimet e fundit se Izraeli kishte informuar këtë javë SHBA-në për të dhëna të shërbimeve të inteligjencës që lidhen me një plan për atentat ndaj presidentit amerikan. Sipas një raporti ekskluziv të “Wall Street Journal”, shërbimi sekret izraelit Mossad ka informuar agjencitë amerikane të inteligjencës për një plan të ri iranian për vrasjen e Donald Trump. Megjithatë, presidenti amerikan la të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një plan të ri nga ana e Iranit, por theksoi se, sipas tij, Teherani ka synuar eliminimin e tij prej vitesh.