Trump: Armëpushimi me Iranin në rrezik/ Ghalibaf paralajmëron: Forcat tona janë gati për çdo sulm

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së vijojnë të mbeten të larta, teksa zyrtarët e të dy vendeve kanë shkëmbyer deklarata të forta mbi situatën e sigurisë dhe armëpushimin e brishtë.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se forcat e armatosura të Iranit janë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo veprimi që Teherani e konsideron agresion.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Ghalibaf u shpreh se vendimet e gabuara sjellin pasoja të gabuara, duke paralajmëruar se kundërshtarët e Iranit mund të përballen me surpriza.
“Forcat tona të armatosura janë të gatshme të japin përgjigjen e nevojshme ndaj çdo veprimi agresiv. Jemi të përgatitur për çdo skenar”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump tha se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit është në një fazë shumë të brishtë, duke lënë të kuptohet se situata mund të përshkallëzohet.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Trump e cilësoi dokumentin e fundit të dërguarnga Teherani si “të pavlerë” dhe tha se marrëveshja është dobësuar ndjeshëm.
Ai foli edhe për çështjen e uraniumit të pasuruar, duke pretenduar se fillimisht kishte një dakordësi për largimin e tij, por Irani ndryshoi qëndrim pasi marrëveshja nuk u finalizua me shkrim.
“Duhet fleksibilitet në kohë lufte. Ke shumë plane dhe duhet të përshtatesh çdo ditë”, tha Trump, duke shtuar se administrata e tij ka gati një plan alternativ.
Presidenti amerikan komentoi edhe raportet me kurdët, duke thënë se ata nuk kanë përmbushur pritshmëritë e SHBA-së.


