Trazira në bregdetin francez/ Policia përplaset me emigrantët dhe u çan gomonen me thi'kë për të ndalur nisjen

Bota

Trazira në bregdetin francez/ Policia përplaset me emigrantët dhe

Disa pamje të publikuara nga mediat e huaja tregojnë momentet kaosi, ku policia franceze përplaset me emigrantët në një plazh në veri të Francës. Përplasja mes tyre ka ardhur pasi, autoritetet franceze po përpiqeshin të pengonin nisjen e një gomoneje drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Disa persona me jelekë shpëtimi  hedhin objekte në drejtim të policisë, në përpjekje për të mbajtur efektivët larg gomones. Por, policia përdori spraj dhe më pas çau gomonen me thikë për të parandaluar nisjen e saj. Këto pamje janë publikuar në një kohë kur Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rritur bashkëpunimin për ndalimin e kalimeve me gomone në Kanalin Anglez.

Qeveria britanike ka deklaruar më herët se gjatë tre muajve të fundit janë parandaluar 185 tentativa për kalim me varka të vogla, në kuadër të një marrëveshjeje të re mes dy vendeve, me vlerë rreth 660 milionë paund. Sipas autoriteteve britanike, operacionet përfshijnë ndërhyrje në det, sekuestrimin e gomoneve, motorëve dhe jelekëve të shpëtimit, si dhe arrestimin e personave të dyshuar për kontrabandë.

Pas  marrëveshjes së re, në plazhet franceze janë angazhuar edhe njësi shtesë policore, përfshirë një skuadër prej rreth 50 efektivësh të specializuar për kontrollin e trazirave. Autoritetet britanike thonë gjithashtu se që nga marsi janë ndaluar 12 “anije taksi”, të cilat përdoren për të transportuar emigrantë drejt pikave ku nisen gomonet për në Britani.

Rekord prej 230 personash në një gomone

Grupet e kontrabandës duket se kanë ndryshuar taktikat. Sipas autoriteteve, gjithnjë e më shumë persona po futen në një gomone të vetme. Vetëm këtë muaj, 230 persona, një numër rekord, kanë kaluar në një varkë të vetme. Qeveria britanike thekson se numri i kalimeve të suksesshme është në rënie. Deri tani, rreth 15,897 emigrantë kanë kaluar Kanalin drejt Britanisë, 43% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 18% më pak se në të njëjtën pikë të vitit 2024.

Megjithatë, organizatat humanitare paralajmërojnë se shtimi i ndërhyrjeve policore në plazhet franceze mund t'i ekspozojë emigrantët ndaj rreziqeve edhe më të mëdha. Organizata Utopia 56 ka kritikuar përdorimin e forcës nga policia franceze. Organizata pretendon se presioni i shtuar policor po i shtyn njerëzit të ndërmarrin tentativa gjithnjë e më të rrezikshme për të arritur te gomonet.

Përplasje politike për kthimin e emigrantëve

Në Mbretërinë e Bashkuar, Reform UK ka propozuar përdorimin e Marinës Mbretërore për të ndaluar emigrantët në Kanal dhe për t'i transportuar ata drejt Francës ose Belgjikës, duke e cilësuar masën si një zgjidhje humanitare. Franca e ka kundërshtuar këtë ide, duke argumentuar se një veprim i tillë do të përbënte shkelje të sovranitetit francez, si dhe të ligjit detar dhe atij ndërkombëtar.

Sekretarja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, tha se marrëveshja me Francën ka një ndikim të vërtetë, duke parandaluar kalimet përpara se të ndodhin dhe duke goditur rrjetet kriminale të kontrabandës.

Ndërsa Charlie Eastaugh, nga Komanda e Sigurisë Kufitare, deklaroi se bashkëpunimi mes dy vendeve është më i fortë se kurrë dhe se autoritetet do të vazhdojnë të rrisin presionin ndaj grupeve të kontrabandës. Sipas tij, policia franceze po ndërmerr veprime në kushte të vështira dhe të rrezikshme për të parandaluar nisjet e anijeve dhe për të shpëtuar mijëra jetë në det.

ME TE LEXUARAT