Tragjedia në Teksas përfshin mbi 100 viktima - Eksperti fajëson papërgatitjen e shtetit

Më shumë se 100 viktima, mes tyre 28 fëmijë, dhjetëra persona të zhdukur dhe komunitete të shkatërruara, ky është bilanci dramatik i përmbytjeve të papritura që goditën Teksasin brenda pak orësh. Lumi Guadalupe u rrit me më shumë se 8 metra në më pak se një orë, duke përmbytur gjithçka përpara tij.
Por, sipas ekspertëve, tragjedia nuk është pasojë vetëm e motit ekstrem. Profesori Costas Synolakis, një nga zërat më autoritarë në menaxhimin e fatkeqësive natyrore, në një analizë për Wall Street Journal, thekson se “shkenca bëri detyrën e vet, politika dështoi”.
Ai shpjegon se paralajmërimet ishin dhënë me kohë. Rreziku ishte i njohur prej dekadash, por autoritetet lokale kishin zgjedhur të mos investonin në sistemet e paralajmërimit, në infrastrukturë mbrojtëse, apo në trajnim emergjence.
Sirenat munguan, komunikimi ishte kaotik, dhe mungesa e koordinimit e ktheu një situatë të menaxhueshme në një katastrofë njerëzore.
“Fëmijët në kamp nuk u mbytën nga uji, por nga dështimi i imagjinatës dhe i përgjegjësisë,” thotë Synolakis, duke ngritur alarmin për mungesën e vullnetit politik për të marrë masa serioze ndaj krizave klimatike dhe emergjencave natyrore.
Në fund të analizës, ai bën thirrje që ky të jetë një moment zgjimi për autoritetet, për të mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten në të ardhmen.


