Tragjedi në zonën e monumenteve në Romë, bie nga lartësia gjatë punës, kush është 22-vjeçari që humbi jetën te Koloseumi

Një aksident tragjik në vendin e punës i ka marrë jetën një të riu 22-vjeçar në Koloseumin e Romës. Viktima, Andrea Moretti, ishte specialist për punime në lartësi me litar dhe po merrte pjesë në instalimin e një sistemi të ri ndriçimi në monumentin historik.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth mesnatës, kur 22-vjeçari ra nga një lartësi prej rreth 10 metrash brenda Amfiteatrit Flavian. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendngjarje mbërritën karabinierët, mjeku ligjor, prokurori i gatshëm, si dhe përfaqësues të inspektoratit të punës dhe shërbimeve shëndetësore, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e aksidentit.
Parku Arkeologjik i Koloseut dhe Ministria italiane e Kulturës njoftuan se, në shenjë zie, sektori i katit të dytë ku ndodhi aksidenti do të qëndrojë i mbyllur për publikun gjatë ditës së sotme, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ministri i Kulturës i Italisë, Alessandro Giuli, e cilësoi ngjarjen “tragjike që na lë të tronditur”, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e të riut që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.


