Tragjedi në Itali, 63-vjeçari vret bashkëshorten dhe djalin me armë gjahu

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së mërkurës banorët e Pieve di Camaiore, në provincën e Luccas, Itali. Sipas informacioneve të para, një burrë 63-vjeçar ka qëlluar me armë gjahu bashkëshorten e tij 52-vjeçare dhe djalin e tyre 24-vjeçar, brenda banesës së familjes.
Fqinjët kanë qenë të parët që dhanë alarmin, duke njoftuar menjëherë autoritetet. Forca të karabinierëve dhe policisë mbërritën shpejt në vendngjarje dhe ndaluan të dyshuarin, i cili, sipas raportimeve, ndodhet ende brenda banesës nën kontrollin e autoriteteve.
Banorë të zonës kanë rrëfyer se brenda familjes kishte pasur prej kohësh mosmarrëveshje dhe tensione, por asgjë që të paralajmëronte një epilog kaq tragjik.
Në vendngjarje vepruan edhe ekipet e emergjencës mjekësore 118, të cilave iu bashkua edhe helikopteri i shpëtimit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, jeta e dy viktimave nuk u shpëtua. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë akt të rëndë dhune familjare.


