Spanjë: Një tjetër i plagosur humb jetën, numri i të vdekurve nga tragjedia e trenit shkon në 46

Një pasagjer i plagosur në tragjedinë e trenit më 18 janar në Spanjën jugore ndërroi jetë të premten, duke e çuar numrin e të vdekurve në 46, thanë autoritetet lokale shëndetësore.
“Një nga viktimat, e cila ishte shtruar në spital, vdiq” në spitalin Vassilissa Sofia në Kordoba , tha për AFP një zëdhënëse e autoriteteve lokale shëndetësore.
Aksidenti i 18 janarit në Andaluzi ka vënë në pikëpyetje sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë, një vend që ka rrjetin e dytë më të madh të trenave me shpejtësi të lartë në botë, pas Kinës.
Natën e tragjedisë, vagonët e trenit që i përkisnin kompanisë private Iryo, një degë e grupit shtetëror italian Ferrovie dello Stato, dolën nga shinat pranë qytetit të vogël Adamo, në rrugën Madrid-Sevilje, duke rrëshqitur në shinat ngjitur disa sekonda para se një tren që i përkiste Renfe, kompanisë publike hekurudhore spanjolle, të mbërrinte dhe të përplasej me to. Përplasja ndodhi ndërsa të dy trenat po udhëtonin me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, duke transportuar gjithsej 480 pasagjerë.
Që atëherë, hetuesit janë përpjekur të përcaktojnë shkaqet e tragjedisë , me skenarin mbizotërues në këtë fazë që një lidhje hekurudhore “u prish” pak para aksidentit.


