Sfera misterioze metalike në plazhet e Australisë, dyshohet se janë...

Gjashtë objekte të mëdha metalike dhe misterioze janë gjetur në plazhet e veriut të Queensland-it në Australi, duke shkaktuar kuriozitet dhe shqetësim tek autoritetet.
Dyshimet e para janë se bëhet fjalë për të ashtuquajturat “topa hapësinorë” – pjesë të raketave që kanë mbetur pas misioneve hapësinore dhe janë kthyer në Tokë.
Objektet u zbuluan në zonën e Forrest Beach, pranë qytetit Townsville. Autoritetet australiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e tyre, ndërsa policia dhe shërbimet emergjente siguruan zonën për shkak të dyshimeve se ato mund të përmbanin mbetje të kimikateve të rrezikshme.
Agjencia Hapësinore Australiane, në bashkëpunim me policinë dhe institucionet e emergjencave, po analizonte objektet. Ekspertët besojnë se ato mund të jenë rezervuarë nën presion që përdoren në sistemet e karburantit të raketave.
Këto pjesë, të prodhuara nga lidhje të forta metalike si titani, mund të mbijetojnë gjatë hyrjes në atmosferë dhe të përfundojnë në oqeane ose brigje.


