Shqiptarët trafikonin drogë nga Kolumbia, “bankieri” kinez pastronte paratë në Shqipëri/ 103 vite burg për bandën në Itali

Bota

Shqiptarët trafikonin drogë nga Kolumbia, “bankieri” kinez
Një megaoperacion antidrogë në Itali ka zbuluar një rrjet të madh trafiku kokaine dhe pastrimi parash me vlerë qindra milionë euro, ku të përfshirë rezultojnë një “bankier” kinez dhe disa shtetas shqiptarë.

Operacioni i koduar “Tornado”, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Brescias dhe Guardia di Finanza, çoi në dënimin e 15 personave me mbi 103 vite burg në total.

Sipas hetimeve, organizata kriminale vepronte në dy drejtime kryesore: trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave përmes faturave fiktive.

Autoritetet italiane zbuluan se rrjeti kishte trafikuar rreth 3 ton kokainë nga Kolumbia përmes Spanjës dhe Holandës, ndërsa një bazë magazinimi ndodhej në Brescia.

Në qendër të skemës ishte 43-vjeçari me origjinë kineze Lihe Hu, i konsideruar nga prokurorët si “bankieri i fshehtë” i organizatës, i cili u dënua me 5 vite e 4 muaj burg.

Sipas hetimeve, ai menaxhonte miliona euro të ardhura nga trafiku i drogës, të cilat pastroheshin përmes transfertave nga Kina drejt llogarive në Shqipëri, Spanjë dhe Brazil.

Nga viti 2019 deri në 2021, rrjeti dyshohet se krijoi fatura false me vlerë rreth 325 milionë euro për të legalizuar fitimet kriminale.

Në skemë kishin rol edhe kompani fantazmë dhe biznese të përdorura për pastrimin e parave.

Ndër personat e dënuar janë edhe dy shqiptarë: Jurgen Havalja, i dënuar me 13 vite e 4 muaj burg, dhe Mariglen Beqja, i dënuar me 13 vite e 2 muaj burg.

Sipas hetimeve, ata kishin rol kyç në transportin dhe magazinimin e kokainës në Itali.

Autoritetet italiane kanë ngritur alarmin për rrjetet e fshehta financiare që përdoren për të mbështetur aktivitetet kriminale./CorrieredellaSera

ME TE LEXUARAT