Amnistia penale, asnjë i dënuar nuk lirohet nga burgu i Burrelit

Është zbatuar këtë të mërkurë aminstia penale për 1335 të burgosur që vuajnë dënimin në disa burgje të vendit tonë. Që prej orës 8 të mëngjesit ka nisur lirimi i tyre nga ambjentet ku po vuanin dënimin për veprat penale për të cilat ishin dënuar.
Ndërkohë, në burgun e sigurisë së lartë në Burrel mësohet se nuk ka patur asnjë të dënuar që ka përfituar nga aministia penale e cila u miratua në Kuvend pak ditë më parë.
Burime pranë këtij institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale në Burrel thanë se nga aministia nuk ka përfituar daljen nga burgu të asnjë të dënuari, por ka patur prej atyre që kanë përfituar zbritje të dënimit sipas udhëzimit dhe kushteve të përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë.
Ligji për amnistinë penale u miratua nga Kuvendi më 18 qershor dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor, duke hyrë tashmë në fuqi.
Nga amnistia përfitojnë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 Maj të këtij viti, edhe në rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende.
Në burgjet e Fierit, Korçës, Shkodrës, Rrogozhinës e Lushnjës janë liruar 486 të burgosur që përfituan nga amnistia penale.


