Përshkallëzohet konflikti, avionët amerikanë godasin dy cisterna iraniane

Situata në Gjirin Persik vijon të përshkallëzohet, pasi ushtria amerikane ka konfirmuar goditjen e dy cisternave iraniane të naftës në Gjirin e Omanit.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), një avion luftarak F/A-18 Super Hornet goditi me municione precize dy anijet me flamur iranian, duke i nxjerrë jashtë funksionit përpara se të hynin në një port në Iran.
Në reagimin e publikuar në rrjetin social X, ushtria amerikane deklaroi se cisternat po thyenin bllokadën e vendosur nga SHBA.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Fars News raportoi për përplasje sporadike mes forcave amerikane dhe iraniane në Ngushticën e Hormuzit që prej mesditës së kësaj të premteje.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës dhe tensionet në zonë kanë ngritur shqetësime për tregjet ndërkombëtare.
Ngjarja ndodh ndërsa SHBA pret ende përgjigjen e Teheranit për një propozim armëpushimi dhe rifillimin e negociatave për konfliktin në rajon.


