“Aktivitetet terroriste…”/ Shërbimi Federal i Sigurisë ruse akuza ndaj themeluesit të Telegramit, lëshon urdhër-arresti ndaj tij

Themeluesi i Telegramit, Pavel Durov, është vënë në qendër të një përplasjeje të re me autoritetet ruse, pasi Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ka ngritur akuza ndaj tij dhe ka kërkuar një urdhër ndërkombëtar arresti.
FSB e akuzon Durovin për lehtësim të aktiviteteve terroriste përmes platformës Telegram, duke pretenduar se aplikacioni nuk ka hequr materiale që, sipas autoriteteve ruse, janë përdorur për organizimin e sulmeve dhe operacioneve të paligjshme brenda territorit të Rusisë.
Sipas shërbimit rus të sigurisë, këto materiale dyshohet se janë përdorur nga shërbime speciale ukrainase dhe organizata të klasifikuara si terroriste ose ekstremiste për planifikimin e sabotimeve, sulmeve terroriste, vrasjeve masive dhe mashtrimeve kibernetike.
Deri tani, Pavel Durov dhe kompania Telegram nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj akuzave të reja të ngritura nga autoritetet ruse.
Telegram, i krijuar në vitin 2013, është një nga platformat më të mëdha të komunikimit në botë, me mbi 1 miliard përdorues globalë. Aplikacioni është përdorur gjerësisht si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë gjatë luftës mes dy vendeve, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm informacioni dhe komunikimi.
Marrëdhëniet mes Moskës dhe Telegramit kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Rusia ka tentuar disa herë të kufizojë përdorimin e platformës, ndërsa së fundmi ka promovuar aplikacionin shtetëror të mesazheve MAX si alternativë.
Pavel Durov, i lindur në Rusi, është gjithashtu themeluesi i rrjetit social VKontakte. Ai u largua nga vendi në vitin 2014 pas konfliktit me autoritetet ruse dhe më pas shiti aksionet e tij në kompani.
Aktualisht, Durov mban shtetësi të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Francës. Ai po përballet edhe me një proces hetimor në Francë, ku autoritetet po shqyrtojnë nëse Telegram ka marrë masa të mjaftueshme kundër aktiviteteve kriminale në platformë dhe nëse ka bashkëpunuar plotësisht me organet ligjzbatuese.
Durov i ka mohuar akuzat e mëparshme ndaj tij, ndërsa çështja e re e ngritur nga Rusia shton përplasjet mes themeluesit të Telegramit dhe autoriteteve që prej vitesh kërkojnë më shumë kontroll mbi platformën.