Detaje nga arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri, nga fluturimi mbi një central bërthamor te tre “AirTag”-ët e fshehur

Aktualitet

Detaje nga arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri, nga fluturimi mbi një

Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e “AKSHI-t”, është ndaluar në Francë pas një incidenti të pazakontë pranë centralit bërthamor të Penly, në Seine-Maritime.

Ndaj Beqirit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas mediave franceze, ndalimi i tij erdhi pasi ai drejtonte një avion të vogël civil që kaloi mbi një zonë të ndaluar ajrore pranë centralit bërthamor të Penly. Avioni po fluturonte në një lartësi rreth 1200 metra, por piloti, vetë Beqiri, uli papritur hundën e mjetit duke zbritur në rreth 1060 metra, duke shkelur kufirin e lejuar për kalimin mbi një objekt strategjik.

Pas sinjalizimit për incidentin, Forcat Ajrore franceze dërguan një mjet për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albertit, në Somme. Menjëherë pas uljes, piloti, Ermal Beqiri u ndalua nga policia dhe u mor në pyetje.

Gjatë kontrollit fizik, autoritetet i gjetën tre pajisje gjurmimi “AirTag” të fshehura në veshjet e tij. Hetuesit po verifikojnë arsyet e mbajtjes së këtyre pajisjeve dhe nëse fluturimi mund të ketë qenë i porositur apo i kryer nën ndikimin e një personi tjetër.

Përballë autoriteteve franceze, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Megjithatë, shpjegimet e tij janë konsideruar të paqarta nga hetuesit.


Itinerari i fluturimit ka ngritur gjithashtu dyshime, pasi avioni ishte nisur nga Alberti, kishte fluturuar drejt Calais dhe më pas drejt Bretanjës, përpara se të kalonte mbi centralin bërthamor të Penly.

Beqiri u gjobit me 7 mijë euro për fluturim të ndaluar mbi një zonë të mbrojtur dhe më pas iu dorëzua Zyrës Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar (OCLCO). Ai pritet t’i nënshtrohet procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.

ME TE LEXUARAT