Prishet marrëveshja e paqes?! Trump kërcënon me sulme nga samiti i NATO-s, përgjigjet Irani: Do mbyllim Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se administrata e tij mund të ndërmarrë sulme të reja ndaj Iranit, duke përmendur si objektiva të mundshëm infrastrukturën kritike civile të vendit.
Gjatë një takimi dypalësh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në margjinat e samitit të NATO-s, Trump deklaroi se një sulm i mundshëm mund të jetë i përmasave të mëdha. Trump përmendi centralet elektrike si objektiva të mundshëm. Ai përmendi gjithashtu impiantet e desalinizimit, të cilat janë jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, duke theksuar se ato do të goditeshin vetëm nëse situata do ta kërkonte.
“Mund të jetë një sulm i madh dhe do të nxjerrë jashtë funksionit shumë gjëra. Do t’i shkatërrojmë. Nuk dua ta bëj këtë, por nëse do të jetë e nevojshme, do t’i godasim”– u shpreh ai.
Deklaratat e presidentit amerikan kanë ngjallur reagime të forta në Iran. Zyrtarë iranianë paralajmëruan se çdo sulm i ri do të përballet me një përgjigje të ashpër. Një burim i sigurisë iraniane i tha mediave shtetërore se Irani do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse SHBA ndërmerr sulme të tjera. Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi përmes rrjetit social X, duke deklaruar:
“Epoka e bullizmit dhe shantazhit ka marrë fund. Kjo nuk çon askund dhe ne nuk do të dorëzohemi.”
Ndërkohë, përshkallëzimi i situatës ka ndikuar edhe në tregjet financiare. Bursat evropiane kanë shënuar rënie, ndërsa çmimi i naftës është rritur ndjeshëm. Nafta e tipit Brent i është afruar nivelit të 80 dollarëve për fuçi, mes frikës për ndërprerje të furnizimit global në rast të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.