“Shqipëria nuk është gati për t’u anëtarësuar në BE”/ Beleri ndryshe nga kolegët eurodeputetë në Strasburg: Ka shumë probleme
Eurodeputeti Fredi Beleri ka deklaruar sot në komitetin parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, se Tirana zyrtare po përballet me probleme serioze sa i takon shtetit të së drejtës. Sipas tij, problemet më të theksuara evidentohen në fushën e drejtësisë dhe të zbatimit të vendimeve gjyqësore.
“Shqipëri ka çështje penale të hapura në vendet fqinje. Kur miratojmë ligje, është e rëndësishme gjithashtu që të shikojmë që ka edhe probleme të rënda. Shohim probleme në fushën e Drejtësisë dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore. Shohim vështirësi në zbatimin e vendimeve gjyqësore. Ne kemi një reformë në sektorin e Drejtësisë në Shqipëri dhe procesin e vettingut. Por edhe procedura e vettingut në vetvete ka pasur pika të dobëta, ku si pjesë e procesit ka pasur gjyqtarë të ndryshëm që janë përjashtuar nga procesi. Po ashtu ka edhe gjyqtarë të tjerë që kanë procese ligjore të hapura kundër tyre në shtete të tjera të BE-së. Ish-Presidenti i vendit duket se është prekur nga ky proces”, deklaroi Beleri gjatë fjalës së tij.
E më tej ai shtoi se në Shqipëri nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm të trajtuar apo përfunduar nga Gjykata, gjatë 12 viteve të fundit.
“Nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm që është trajtuar apo përfunduar nga Gjykata. Kjo është situata gjatë 12 viteve të fundit. Nuk ka vendime të përfunduara nga Gjykata. Ka një organizim kriminal, pra kemi organizata kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Kanë përdorur sipërfaqe toke që janë dhënë nga kryeministri. Kështu që si mund të punojmë vërtetë ne kundër krimit të organizuar, me gjithë këto zhvillime. Ne kemi 6 mijë persona që janë në burg. Janë persona që kanë vdekur dhe nuk e dimë ku janë varrosur. Sa i takon ndarjes së pushteteve, nëse nuk ka gjyqësor të pavarur, s’ka shtet të së drejtës dhe as integrim në BE. Disa thonë që Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar. Këta persona ose nuk e shohin situatën siç është aktualisht, ose kanë një imazh të gabuar të situatës”, tha ai./ Top Channel