Presidentit Trump “nuk i del e keqja me Izraelin”: Pa mua, do të ishte shkatërruar plotësisht

Donald Trump ngriti pikëpyetje të reja për marrëdhënien aktuale me Izraelin. Pa ndërhyrjen time shteti hebre, tha ai në një intervistë për The Axios Shoë, do të ishte “shkatërruar” gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme.
Trumpi e nënvizoi se mbështetja amerikane ka qenë thelbësore për mbijetesën e Izraelit. Ai shtoi se SHBA disponon kapacitete ushtarake kyçe, duke përmendur armët dhe bombarduesit B-2, si dhe marrëveshjet strategjike që, sipas tij, e bëjnë Uashingtonin aktor vendimtar në rajon.
“Nëse nuk do të ishte për Donald Trumpin, Izraeli do të ishte shkatërruar plotësisht. Ne jemi ata që i kemi armët, ne jemi ata që i kemi të gjitha marrëveshjet, ne jemi ata që i kemi bombarduesit B-2.”, shprehet Trump.
I pyetur nëse do të ishte në gjendje të parandalonte Izraelin nga sulme të mëtejshme në Liban, Trump u përgjigj duke kujtuar ndikimin e madh që ka mbi udhëheqjen izraelite. “Ata kanë shumë respekt për mua dhe bëjnë siç them unë”, u shpreh kreu i shtetit amerikan. Mediat amerikane kanë publikuar prej disa kohësh artikuj, të bazuar në burime anonime ku flitej për një krisje të marrëdhënieve mes Trumpit dhe Netanyahut, por këto tensione të raportuara nuk e kanë lëkundur mbështetjen e Uashingtonit për aleatin e tij të ngushtë.
Sipas ekspertëve, marrëveshja e ndërmjetësuar nga Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza i dha Izraelit një mundësi për të thelluar kontrollin e tij mbi enklavën palestineze, ndërsa vërejnë se një pjesë e përplasjeve më të ashpra publike mes SHBA-së dhe udhëheqësve izraelitë janë pasuar nga një bashkëpunim akoma edhe më i thelluar në fushën e sigurisë dhe një forcim i mbështetjes ushtarake amerikane për Izraelin.