Kriza në Lindjen e Mesme/ A do të rritet çmimi i fluturimeve? BE: Kompanitë s’mund të ...

Komisioni Europian ka sqaruar se kompanitë ajrore nuk lejohen të rrisin çmimin e biletave pasi pasagjerët i kanë blerë ato, pavarësisht rritjes së kostove të karburantit si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.
Sipas Brukselit, çmimi i një bilete duhet të jetë përfundimtar dhe të përfshijë të gjitha tarifat e detyrueshme, ndaj çdo pagesë shtesë pas rezervimit bie ndesh me rregullat e BE-së.
Reagimi vjen pasi kompania ajrore spanjolle me kosto të ulët Volotea aplikoi tarifa shtesë deri në 14 euro për disa pasagjerë, duke argumentuar se çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm.
Kompania tha se verifikon çmimet e karburantit pak ditë para nisjes së fluturimit dhe aplikon tarifa shtesë ose rimbursime në bazë të luhatjeve të tregut.
Ndërkohë, organizata spanjolle e konsumatorëve Facua ka kërkuar nisjen e një hetimi ndaj kësaj praktike.
Komisioni Europian rikujtoi gjithashtu se pasagjerët kanë të drejtë për rimbursim ose alternativa udhëtimi në rast anulimesh.
Në javët e fundit, disa kompani si Lufthansa, British Airways dhe KLM kanë anuluar fluturime për shkak të kostove të larta të karburantit.
Megjithatë, BE thekson se rritja e çmimeve të karburantit nuk përbën arsye të vlefshme për të ngarkuar pasagjerët me tarifa shtesë pas blerjes së biletës.


