Goditet rrjeti i abuzimit dhe pornografisë me fëmijë në Greqi, 2 të arrestuar dhe 3 nën hetim

Autoritetet greke kanë goditur një rrjet të dyshuar të abuzimit seksual të të miturve dhe pornografisë me fëmijë gjatë një operacioni të koduar “Zinxhiri i Thyer”.
Operacioni u zhvillua nga Njësia e Hetimit të Krimit Kibernetik në Greqi dhe çoi në arrestimin e dy personave, ndërsa ndaj tre të tjerëve është hapur procedim penal.
Sipas autoriteteve, hetimet nisën pas analizave të specializuara dixhitale, ku u identifikuan përdorues në Greqi që dyshohet se kishin akses dhe shpërndanin materiale të paligjshme në internet.
Materialet e zbuluara lidhen me të mitur nën moshën 15-vjeçare.
Me ndihmën e kompanive të internetit dhe telekomunikacionit, policia arriti të identifikojë lidhjet e përdoruesve dhe vendbanimet e tyre.
Operacioni policor u zhvillua nga 5 deri më 7 maj, ku gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve u sekuestruan 43 hard disqe, 11 pajisje USB dhe dy laptopë.
Kontrollet paraprake të pajisjeve elektronike zbuluan materiale të shumta të paligjshme, çka çoi në arrestimin e dy personave.
Pajisjet e sekuestruara janë dërguar për analiza të mëtejshme laboratorike, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit.


