Mesazhi i ri i Trump: Negociatat përfundimtare për paqen mes Iranit dhe Izraelit janë në zhvillim

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se negociatat përfundimtare mes Iranit dhe Izraelit për arritjen e paqes janë aktualisht në zhvillim, pavarësisht vazhdimit të sulmeve mes dy vendeve.
Në një postim të ri në rrjetet sociale, Trump tha se të dyja palët po synojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe se bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit kanë hyrë në fazën vendimtare.
“Negociatat përfundimtare për ‘paqen’ janë në zhvillim e sipër, me kusht që të mos pengohen nga injoranca apo marrëzia”, shkroi presidenti amerikan.
Trump shtoi gjithashtu se bllokada do të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën e saj.
Deklarata vjen në një kohë kur Izraeli dhe Irani vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve ushtarake, duke rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Më herët gjatë ditës, Trump u kishte bërë thirrje publikisht të dyja palëve që të ndalin menjëherë sulmet.
“Izraeli dhe Irani duhet të ndalojnë tani zjarrin”, ishte mesazhi i shkurtër i presidentit amerikan, ndërsa Uashingtoni po përpiqet të shmangë zgjerimin e konfliktit në rajon.
Sipas Trump, ekziston ende mundësia për një marrëveshje që do t’i japë fund përplasjeve, ndërsa përpjekjet diplomatike për armëpushim dhe paqe po vazhdojnë.