Macron kërkon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit: Jemi viktima të gjeopolitikës!

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka përsëritur thirrjen për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë, që sipas tij vijon të mbetet e paralizuar prej javësh për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit në Iran.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Athinë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, Macron paralajmëroi se pasiguria gjeopolitike po rrit rrezikun për mungesa dhe paqëndrueshmëri në tregjet ndërkombëtare.
“Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe nuk është një varkë që e kemi zgjedhur vetë. Jemi viktima të gjeopolitikës dhe të kësaj lufte që ka nisur disa muaj më parë,” deklaroi presidenti francez.
Macron theksoi se situata prek të gjitha vendet, pasi ato varen nga zhvillimet në një zonë strategjike që ndikon drejtpërdrejt në furnizimet globale me energji dhe në stabilitetin ekonomik.
Ndërkohë, sipas deklaratave ndërkombëtare, më shumë se një duzinë shtetesh kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar një misioni detar të udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, me synim mbrojtjen e anijeve tregtare në rajon, sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.


