Lëvizja e Turqisë për gazin në Egje, shtohen tensionet me Greqinë

Bota

Lëvizja e Turqisë për gazin në Egje, shtohen tensionet me
Turqia po përgatitet të paraqesë në parlament një projektligj që synon vendosjen e juridiksionit detar mbi zonat e diskutueshme në Egje dhe Mesdheun Lindor, një lëvizje që mund të sjellë tensione të reja me Greqinë dhe vende të tjera të rajonit.

Sipas një raporti të Bloomberg nga Ankaraja, projektligji konsiderohet si hapi i parë i Turqisë për të konsoliduar pretendimet e saj detare dhe për të shpallur zyrtarisht të drejtat mbi burimet e mundshme të gazit natyror në rajon.

Burime të cituara nga media ndërkombëtare bëjnë me dije se iniciativa synon të forcojë pozicionin e Ankarasë lidhur me zonat ku ekzistojnë ose dyshohen rezerva të rëndësishme energjetike.

Megjithatë, nuk është ende e qartë se çfarë parashikon konkretisht projektligji, pasi Turqia ka depozituar më herët në OKB kufijtë e saj të pretenduar të shelfit kontinental në Mesdheun Lindor, të cilët janë kundërshtuar nga Greqia.

Në Egje, situata mbetet edhe më e ndërlikuar, pasi Ankaraja ka kundërshtuar vazhdimisht të drejtat sovrane të Greqisë dhe në disa raste edhe sovranitetin mbi ishujt grekë.

Sipas raportit, kjo lëvizje shihet edhe si kundërpërgjigje ndaj hapave të fundit të Athinës, përfshirë marrëveshjen me Egjiptin për delimitimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, projektet për parqe detare dhe marrëveshjen me kompaninë Chevron për kërkime energjetike në jug të Kretës.

Zhvillimi pritet të ndiqet me vëmendje në rajon, pasi mund të ndikojë në balancat gjeopolitike dhe energjetike në Mesdheun Lindor.

 

ME TE LEXUARAT