Izraeli sulmon Gazën pranë një qëndre mjekësore - Mes viktimave 10 fëmijë

Një tjetër episod tragjik është shënuar në Rripin e Gazës. Një sulm ajror izraelit goditi të enjten zonën përreth një qendre mjekësore në Deir al-Balah, duke lënë të vrarë të paktën 16 persona, përfshirë 10 fëmijë, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet lokale shëndetësore palestineze.
Pamjet nga vendngjarja, të verifikuara nga media ndërkombëtare, tregojnë trupa të pajetë të fëmijëve dhe grave, të mbuluar nga gjaku, në korridore dhe trotuare pranë ndërtesës së goditur. Dëshmitarët përshkruajnë një sulm të befasishëm, që la pas vetes vetëm panik, britma dhe shkatërrim.
Ushtria izraelite ka reaguar duke thënë se objektivi i sulmit ishte një militant palestinez i përfshirë në sulmet e 7 tetorit kundër Izraelit, por shtoi se po heton raportimet për viktima civile.
Megjithatë, organizatat humanitare ndërkombëtare e kanë dënuar incidentin, duke e cilësuar një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të Konventës së Gjenevës, për shkak të afërsisë me një institucion shëndetësor dhe numrit të lartë të viktimave të pambrojtura.
Ndërkohë, bisedimet për një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit vijojnë në Doha të Katarit, të ndërmjetësuara nga SHBA, Egjipti dhe Katari.
Deri tani nuk ka një përparim të dukshëm. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se shpreson për një marrëveshje të afërt që do të përfshinte ndalimin e luftimeve për 60 ditë, lirimin e pengjeve dhe rihapjen graduale të ndihmave humanitare.
Nga ana tjetër, autoritetet izraelite janë shprehur me skepticizëm, duke theksuar se “kushtet aktuale nuk janë ende të pjekura për një marrëveshje të qëndrueshme”, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu këmbëngul se operacionet kundër Hamasit do të vazhdojnë “deri në eliminimin e plotë të kërcënimit”.
Situata në Gaza mbetet kritike, me qindra mijëra civilë të zhvendosur, spitale jashtë funksionit dhe furnizime thelbësore në mungesë ekstreme


