Vritet në Itali gazetari sportiv Luca Esposito, trupi i tij gjendet i djegur

Bota

Vritet në Itali gazetari sportiv Luca Esposito, trupi i tij gjendet i

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku gazetari sportiv Luigi Esposito, i njohur nga të gjithë si Luca Esposito, është gjetur i vrarë dhe më pas i djegur në një zonë rurale në Eboli, në provincën e Salernos. Viktima ishte 53 vjeç.

Trupi i tij u zbulua nga zjarrfikësit, të cilët kishin ndërhyrë për të shuar një zjarr në një rrugë rurale. Për shkak të djegieve të rënda, identifikimi nuk ishte i mundur fillimisht. Më vonë, hetuesit arritën të përcaktojnë identitetin e viktimës pasi gjetën pranë vendit të ngjarjes automjetin e tij.

Sipas hetimeve paraprake, Esposito është qëlluar me armë zjarri dhe më pas trupi i tij është lyer me lëndë djegëse dhe i është vënë flaka, në një përpjekje të dyshuar për të fshehur gjurmët e krimit. Në vendngjarje janë gjetur edhe gëzhoja, ndërsa Prokuroria e Salernos ka nisur hetimet për vrasje dhe nuk përjashton asnjë pistë, si atë personale, ashtu edhe atë profesionale. 

Luca Esposito ishte një gazetar sportiv i njohur në zonën e Salernos. Ai drejtonte portalin TuttoSalernitana.com, ishte opinionist në televizionin Otto Channel dhe bashkëpunonte me disa media sportive italiane. Kolegët e përshkruajnë si një gazetar me karakter të fortë, i cili shprehte gjithmonë hapur mendimet e tij.

Vrasja e tij ka shkaktuar tronditje në komunitetin gazetaresk italian, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe për të identifikuar autorët e krimit./tg.com.24

ME TE LEXUARAT