Google gjobitet 403 milionë €! Irlanda gjen shkelje në përdorimin dhe ruajtjen e të dhënave të përdoruesve

Google është gjobitur me 403 milionë euro (345 milionë paund) nga Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) i Republikës së Irlandës lidhur me mënyrën se si kompania përdorte të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve.
Gjoba - një nga më të mëdhatë e këtij lloji të vendosur nga autoriteti mbikëqyrës irlandez - pasoi një hetim të nisur ndaj gjigantit të teknologjisë gjashtë vjet më parë, pas ankesave nga disa organizata evropiane të të drejtave të konsumatorëve.
Të hënën, DPC tha se hetimi i saj zbuloi se Google kishte përpunuar të dhëna në një mënyrë që nuk ishte "e ligjshme", "e drejtë" ose "transparente".
Hetimi kishte të bënte me përpunimin e të dhënave të vendndodhjes nga Google në tre veçori specifike - Aktiviteti i Uebit dhe i Aplikacioneve, Historiku i Vendndodhjes dhe Saktësia e Vendndodhjes midis 25 majit 2018 dhe 4 shkurtit 2020.
Të dhënat e vendndodhjes janë çdo lloj të dhëne që mund të përdoret për të nxjerrë përfundime rreth vendndodhjes së një personi.
Raporti tha se praktikat e Google “shkelën” Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) - legjislacion që hyri në fuqi më 25 maj 2018, duke krijuar ligje të rrepta për privatësinë dhe sigurinë e të dhënave brenda Bashkimit Evropian (BE).
Përveç gjobës, Google është urdhëruar gjithashtu që të sjellë përpunimin e të dhënave në përputhje me ligjin brenda gjashtë muajve.
Si ka reaguar Google?
“Ky rast përqendrohet rreth politikave historike që janë përditësuar që atëherë. Që nga viti 2019 e tutje, ne kemi zhvilluar ndjeshëm praktikat tona dhe kemi lançuar mjete të fuqishme që e bëjnë menaxhimin e të dhënave të vendndodhjes të thjeshtë”, tha Google.
Ata thanë gjithashtu se kanë bërë përmirësime në mbrojtjen e të dhënave vitet e fundit, duke përfshirë "kontrollet e fshirjes automatike të para në industri", të cilat u mundësojnë të gjithë përdoruesve të "konfigurojnë llogarinë e tyre që të fshijë automatikisht të dhënat e tyre çdo tre, 18 ose 36 muaj".


