“E vrau me thikë në zemër”/ 16 vite burgim për Mario Përlleshaj, babai i Martin Canit: Donim dënim më të rëndë, por…

Gjykata e Apelit shpalli vendimin për Mario Përlleshajn, i akuzuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dy vite më parë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar Përlleshajn me 16 vite burg për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë.
Por për Engjëllin, babain e Martin Canit, dhimbja ka mbetur. Në një prononcim për mediat, pas përfundimit të seancës, ai është shprehur se nuk janë të kënaqur me dënimin e autorit, pasi pretendonin më shumë.
“Kjo që na ka ndodhur ne mos t’i ndodhë askujt. Dhimbja jonë është shumë e madhe. Ligjet janë ligje, por ne pretendonim një dënim më të madh. Dënimi është për 2 vepra penale. Një i ri mund të vrasë 50 persona sot me një bombë dhe dënohet 12 vite burg. Siç e dini dhe ju, janë 2 rrethana cilësuese. Falë Zotit që nuk ka pasur fëmijë të tjerë aty. Sa i përket autorit, Luisi ishte i plagosur, ndërkohë që Martinin e vrau me thikë në zemër. Dhimbja jonë është shumë e madhe”, tha ai.