Fundi i “El Mayo”! Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë dënohet me burg përjetë: Brezat e rinj të mos ndjekin rrugën time

Një nga figurat më të njohura të trafikut ndërkombëtar të drogës, Ismael “El Mayo” Zambada, është dënuar me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara, pasi pranoi fajësinë vitin e kaluar për drejtimin e një prej organizatave kriminale më të fuqishme në botë, Kartelit Sinaloa.
Vendimi u dha të hënën nga Gjykata Federale në Brooklyn, ku gjyqtari Brian Cogan deklaroi se, ndonëse ligji e detyronte të jepte dënimin maksimal, ai besonte se burgimi i përjetshëm ishte ndëshkimi i duhur.
“Sasia pothuajse e paimagjinueshme e drogës që i atribuohet atij dhe numri i vrasjeve që mund të dokumentohen mjaftojnë për të justifikuar këtë dënim,” u shpreh gjyqtari.
76-vjeçari pranoi fajësinë në gusht të vitit 2025 për akuza që përfshijnë drejtimin e një organizate kriminale dhe trafikimin e sasive të mëdha të kokainës drejt SHBA-së. Marrëveshja me prokurorinë shmangu dënimin me vdekje, por parashikonte detyrimisht burgim të përjetshëm.
Gjatë seancës, Zambada mori përgjegjësinë për veprimet e tij dhe shprehu pendesë.
“Askush nuk fiton në një luftë si kjo. Brezit të ri i them të zgjedhë një rrugë tjetër,” deklaroi ai para gjykatës.
Gjykatësi kërkoi që autoritetet e burgjeve ta vendosin Zambadën në një institucion ku të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor, duke theksuar se ai vuan nga disa probleme serioze shëndetësore.
Zambada u arrestua në korrik të vitit 2024, së bashku me Joaquin Guzman Lopez, një nga djemtë e Joaquin “El Chapo” Guzman, pasi avioni me të cilin udhëtonin u ul në një pistë të vogël në shtetin e New Mexico.
Sipas prokurorëve amerikanë, Guzman Lopez ka pranuar se e kishte rrëmbyer Zambadën në përpjekje për të siguruar favore nga autoritetet amerikane. Megjithatë, Prokuroria Federale theksoi se SHBA nuk e miraton rrëmbimin si mjet bashkëpunimi dhe se ai nuk do të përfitojë lehtësira për këtë veprim.
Me këtë vendim, Ismael “El Mayo” Zambada bëhet një nga drejtuesit më të lartë të kartelit Sinaloa që dënohet me burgim të përjetshëm në SHBA, pas Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili po vuan të njëjtin dënim në një burg të sigurisë së lartë në Kolorado.


