Alarm në Bangladesh/ Mbi 50 mijë raste me fruth dhe 320 viktima, spitalet në kolaps

Bangladeshi po përballet me shpërthimin më të rëndë të fruthit në më shumë se dy dekada, me mbi 50 mijë raste të konfirmuara dhe të paktën 320 viktima që nga muaji mars.
Situata ka vënë nën presion të fortë sistemin shëndetësor, ndërsa spitalet në kryeqytetin Daka raportojnë fluks të lartë pacientësh, veçanërisht në repartet pediatrike.
Në Spitalin Sisou, mjekët po trajtojnë dhjetëra fëmijë me komplikacione serioze, përfshirë probleme të rënda në frymëmarrje. Mes rasteve është edhe një vajzë 3-vjeçare, e cila nuk kishte marrë dozën e dytë të vaksinës dhe përfundoi në gjendje kritike.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fruthi mbetet një nga sëmundjet më ngjitëse në botë, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët e pavaksinuar nën moshën 5-vjeçare.
Ekspertët në Bangladesh e lidhin përhapjen e epidemisë me kequshqyerjen, rënien e vaksinimit dhe dobësimin e sistemit shëndetësor pas krizës politike të vitit 2024. Ndikim, sipas tyre, ka pasur edhe reduktimi i ndihmës amerikane për zhvillim.
Qeveria ka nisur një fushatë emergjente vaksinimi dhe deri më tani janë imunizuar rreth 17 milionë fëmijë që nga 5 prilli. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet shqetësuese, pasi vetëm brenda 24 orëve të fundit janë raportuar 17 viktima.
Ministria e Shëndetësisë synon që mbulimi me vaksinë të arrijë në 95%, ndërsa ushtria ka ngritur një spital fushor për të përballuar rritjen e rasteve. Autoritetet shprehen të shqetësuara edhe për një shpërthim të mundshëm të etheve dengue pas reshjeve të fundit.


