Aksion në det të hapur: Gjysmë miliard euro kokainë në ngarkesë, mes tyre edhe një shqiptar

PORTUGALI- Një operacion i madh antidrogë në ujërat e Atlantikut ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 2.6 tonëve kokainë, e cila në tregun europian do të kishte një vlerë prej mbi 500 milionë eurosh.
Operacioni u zhvillua pranë Lisbonës nga autoritetet italiane, në bashkëpunim me policinë portugeze dhe spanjolle. Pas ndjekjes dhe monitorimit nga ajri, një motobarkë e fuqishme e përdorur nga trafikantët u interceptua në det të hapur.
Në kuadër të aksionit u arrestuan katër persona të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge: dy shtetas spanjollë, një shtetas nga Gjibraltari dhe një shqiptar me banim në Mantova.
Hetimi, i drejtuar nga autoritetet antimafia të Breshias, kishte nisur nga gjurmimi i rrjeteve të trafikut të drogës në Itali dhe u shtri deri në Spanjë, Portugali dhe më tej në Atlantik.
Autoritetet italiane e konsiderojnë operacionin një goditje të rëndësishme ndaj një rrjeti ndërkombëtar të narkotrafikut, ndërsa hetimet për të zbardhur të gjithë zinxhirin e organizatës vijojnë.


