Aksident tragjik / Autobusi me nxënës bie në humnerë, 21 të vdekur e disa të plagosur

Një autobus me nxënës është rrëzuar në një terren të thepisur në ishullin Fogo të Kepit të Gjelbër, duke shkaktuar të paktën 21 viktima dhe disa të plagosur.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e së shtunës në aksin ndërmjet Chã das Caldeiras dhe Campanas de Cima, në pjesën veriore të bashkisë São Filipe. Për arsye që ende nuk janë përcaktuar, automjeti humbi kontrollin, doli nga rruga dhe ra rreth 30 metra poshtë shpatit.
Të dhënat e para flisnin për 10 persona të vdekur, por presidenti José Maria Neves njoftoi më pas se numri i viktimave kishte arritur në 21. Mes personave që humbën jetën ndodhet edhe drejtuesi i autobusit.
Sipas agjencisë vendase “Inforpress”, shumica e viktimave ishin të rinj, kryesisht nxënës të shkollave të mesme nga zonat Curral Grande dhe Ponta Verde.
Institucionet arsimore sqaruan se aktiviteti nuk ishte organizuar nga shkollat. Bëhej fjalë për një ekskursion privat, të cilin shoferi e zhvillonte çdo vit për nxënësit që transportonte gjatë periudhës mësimore.
Forcat e emergjencës vazhdojnë kërkimet dhe nxjerrjen e personave nga zona ku përfundoi autobusi. Ndërhyrja po zhvillohet me vështirësi për shkak të pjerrësisë së terrenit dhe aksesit të kufizuar.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet. Ndërkohë, ka nisur hetimi për të përcaktuar rrethanat që çuan në daljen e autobusit nga rruga.


