Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës del jashtë kontrollit – Terreni i thepisur pengon ndërhyrjen, dhjetëra forca në terren

Zjarri që ka përfshirë prej ditësh Parkun Kombëtar të Lurës vazhdon të përhapet me shpejtësi, duke përbërë një rrezik serioz për mjedisin dhe pasuritë natyrore të zonës.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse nga toka është thuajse e pamundur për shkak të terrenit të thyer dhe vatrave të shumta që janë shpërndarë në një perimetër të gjerë.
Që në orët e para të mëngjesit, rreth 50 forca të shërbimit zjarrfikës, të bashkisë, shërbimeve pyjore, njësive administrative dhe vullnetarë janë në terren për të mbajtur situatën nën kontroll.
Gjithashtu, në mbështetje janë përfshirë edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa autoritetet kanë hartuar një plan operacional për menaxhimin e emergjencës.
Megjithatë, pa ndërhyrjen nga ajri, izolimi i plotë i zjarrit duket i pamundur. Zyrtarët lokalë kërkojnë urgjentisht mbështetje ajrore për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të mbrojtur Parkun Kombëtar nga një dëm i parikuperueshëm.


