Skandali me mikrokreditë, SPAK përfundon hetimet dhe sekuestron mbi 420 mln lekë dhe 1.3 mln euro

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për një grup të strukturuar kriminal që operonte në fushën e mikrokredisë dhe mbledhjes së detyrimeve financiare, duke dërguar në gjykatë 16 persona dhe 4 kompani të përfshira në mashtrime dhe falsifikim dokumentesh.
Në mesin e të akuzuarve janë Arben Meskuti si organizator dhe drejtues, dhe një grup prej 15 ekzekutorësh që kanë kryer veprat penale në bashkëpunim. Midis kompanive të pandehura janë “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “Final” dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group”.
Hetimet zbuluan se këto shoqëri operonin si një rrjet i organizuar kriminal, me përdorim të softuerëve të përbashkët, financim reciprok dhe kalim të punonjësve ndërmjet tyre për të mbledhur detyrime në mënyrë të paligjshme.
Qytetarët në vështirësi ekonomike binin viktimë e një skeme që përdorte shantazhin, keqpërdorimin e të dhënave personale të familjarëve dhe fakte të pavërteta për të shumëfishuar detyrimet financiare me interesa dhe kamata deri në 2% në ditë. Detyrimet e paligjshme u transferoheshin madje edhe tek familjarë të debitorëve që nuk kishin lidhje me kredinë fillestare.
Gjithashtu, pasuritë e paluajtshme të debitorëve kalonin në mënyrë fiktive në pronësi të kompanive financiare përmes ankandeve të manipuluara.
Përveç dëmeve ekonomike, kjo veprimtari kriminale shkaktoi edhe pasoja sociale të rënda për mijëra familje.
Në kuadër të masave të sigurisë, SPAK ka sekuestruar mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro nga llogaritë bankare të të pandehurve, si dhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të kompanive të përfshira në skemë.
Hetimet treguan se veprimtaria kriminale ka vijuar për më shumë se 9 vite, me efekte të gjera në ekonomi dhe shoqëri.
SPAK njofton se procedimi penal tani është në fazën e gjykimit dhe vijon përpjekjet për të ndëshkuar përgjegjësitë penale të këtij rrjeti kriminal.


