“I ka hyrë tmerri Ramës” / Arben Kola: Ky revolucion i ka çjerrë maskën qeverisë, por i ka zbardhur fytyrën Shqipërisë

Në ditën e 104-të të protestës qytetare, aktivisti Arben Kola ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur veçanërisht te pjesëmarrja e diasporës shqiptare në protestat kundër qeverisë.
Kola deklaroi se rikthimi i emigrantëve shqiptarë dhe pjesëmarrja e tyre në protestë ka shqetësuar qeverinë dhe grupet që ai i cilësoi si oligarkë dhe “mafia qeveritare”.
Ai denoncoi gjithashtu se një pjesë e shqiptarëve që po udhëtojnë drejt Shqipërisë nga vende të ndryshme të Europës dhe nga Anglia janë penguar përmes procedurave në Malin e Zi.
“I ka hyrë tmerri Ramës, pasi rikthimi i mërgatës shqiptare këtu në bulevard i ka prishur gjumin e natës jo vetëm Ramovicit, por edhe grupeve të oligarkëve dhe mafies qeveritare që përmes instancave të Malit të Zi është bërë pengesë dhe ka penguar shumë prej bashkatdhetarëve tanë që janë nisur nga vende të ndryshme të Evropës dhe Anglia.
Kemi një thirrje për ambasadën e Malit të Zi në Tiranë që të lirojë menjëherë rrugën për bashkëqytetarët tanë. Një thirrje shkon edhe për ambasadat e vendeve mike të Shqipërisë që të ushtrojnë presion që shqiptarët me dy shtetësi të lejohen që nesër të kenë mundësi të në bashkohen në këtë revolucion paqësor”, deklaroi aktivisti.
Kola e cilësoi protesten si një “revolucion paqësor” që ne 104 dite i ka çjerre masken qeverise.
“Për 104 ditë i ka çjerrë maskën qeverisë, por i ka zbardhur fytyrën Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. I bëj thirrje Ramës si një tradhtar në ikje, mos ndërhy për pengimin e djemve ta, por kërkoj lirimin e tyre. Ndryshe varri që ti po përgatit për të tjerët do jetë varri ku ti do të biesh në të”, tha Kola.


