“Çfarë të kam bërë unë ty?”, Rama rrëfen telefonatën me protestuesin: Merr CV-në time dhe të shefit tim dhe...

Politikë

“Çfarë të kam bërë unë ty?”, Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur për protestat gjatë intervistës me gazetaren Rudina Xhunga, në podkastin “Flasim”.

Rama tha se reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve e kanë shtyrë të analizojë ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare dhe rritjen e pritshmërive ndaj qeverisjes.

Kryeministri u ndal më pas te deklarata e bërë pas nisjes së protestave në kryeqytet, kur kishte thënë se kishte menduar edhe dorëheqjen.

“Dorëheqja, mbase vjen momenti për ta shpjeguar”, tha Rama, duke sjellë edhe njëherë si shembull rastin e një kryetari bashkie që, pavarësisht investimeve të realizuara për një komunitet, ishte përballur me pakënaqësinë e banorëve.

Sipas Ramës, kjo nuk duhet parë domosdoshmërisht si mosmirënjohje, por si pasojë e ndryshimit të pritshmërive të qytetarëve.

“Sa më shumë vendi ecën, aq më shumë qytetari është i prirur të thotë ‘po kjo tjetra?’. Deri dje ishte një kohë në Shqipëri kur votat fitoheshin me çakull. Hidhnin çakull në një lagje dhe njerëzit hidhnin votën, ata e shprehnin mirënjohjen me votë. Kam përjetuar gjatë kohën që një rrugë, shkollë e ndërtuar, sistem ndriçimi, shoqërohej me duartrokitje e buzëqeshje të mëdha. S’është më”, u shpreh kryeministri.

Rama pranoi se fillimisht nuk e kishte kuptuar këtë ndryshim.

“Jo, nuk e prisja, nuk e kuptova menjëherë. M’u desh të filloj të ndjek shenjat, të analizoj dhe ka pasur disa momente që më kanë ndihmuar shumë për të kuptuar”, tha ai.

Këtë fazë kryeministri e cilësoi si “revolucioni i pritshmërive të larta”, duke argumentuar se përmirësimi i një shërbimi sjell automatikisht kërkesa të reja nga qytetarët.

“Është një ndryshim i stinës së Shqipërisë”, tha Rama. “Quhet revolucioni i pritshmërive të larta. Një qytet që jeton me dy orë ujë në ditë, kur fillon merr 14 orë ujë në ditë, do 24 orë.”

Rama ka rrëfyer se ka pasur komunikime me protestues të ndryshëm, duke treguar rastin e një punonjësi të administratës, i cili merrte pjesë në protestat kundër qeverisë.

Kryeministri tha se e ka telefonuar për ta pyetur se çfarë i kishte bërë ai dhe qeveria që drejton, që ky person të dilte në protestë dhe të bënte thirrje të ashpra në rrjetet sociale.

“Kam pasur komunikime me protestues të ndryshëm. Për shembull, një punonjës administrate dilte në protestë. Ia marr drejtorin në telefon dhe i them: ‘Çfarë është ky?’. Më tha: ‘Është punonjës serioz, por në pikën e protestës s’kam çfarë i bëj’. I marr numrin dhe e marr në telefon dhe i them: ‘Dua të di, çfarë të kam bërë unë ty, çfarë të ka bërë kjo qeveri dhe çfarë përjeton ti që del në rrjetet sociale, që kërkon funde të tmerrshme?’”, rrëfeu Rama.

Sipas kryeministrit, protestuesi i është përgjigjur duke i thënë se bëhej fjalë për lirinë e fjalës, ndërsa Rama i ka sqaruar se nuk po i bënte presion dhe as nuk po i kërkonte llogari për pjesëmarrjen në protestë.

“Ai tha: ‘Më vjen keq’. Dhe ai më tha: ‘Jo, fjala, jo, liria e fjalës’. ‘Gjërat nuk janë shabllon’. I thashë: ‘Nuk po të bëj presion, as të kërkoj llogari pse del në protestë. Dua të di çfarë problemi ka që mund ta zgjidhim’”, tregoi kryeministri.

“Dhe ai tha: ‘Jo, po kështu, jo po ashtu’ dhe më tha: ‘Më lësho, më lësho’. Të më marrë Edi Rama 20 minuta në telefon. I thashë: ‘Qetësohu, por më lër të kuptoj se pse protestoni’.

Nëse do ta dish, tha, merr CV-në time dhe të shefit tim dhe shikoje kush duhet të jetë shefi. Prandaj, në këtë rast, pra, secili kërkon diçka. Absolutisht, të gjitha bashkë janë mozaik. Absolutisht, çdokush ka të drejtë të kërkojë, por kjo është një mozaik. Por do të thotë se njerëzit dalin në protestë dhe nuk u mjafton vetëm të pasurit i një vendi pune”, u shpreh Rama.

ME TE LEXUARAT