Vrasja e Ardian Nikulajt, ekstradimi i grupit të vëzhgimit, Gjykata Supreme në Londër pranon apelimin e Shqipërisë

Aktualitet

Vrasja e Ardian Nikulajt, ekstradimi i grupit të vëzhgimit, Gjykata

Drejtësia shqiptare ka hedhur një tjetër hap në të ngulmuarin për të ekstraduar nga Anglia në Shqipëri pesë të dyshuarit nën akuzë për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulajt.

Një zëdhënëse e Gjykatës Supreme në Londër i konfirmoi gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se kjo gjykatë ka pranuar tashmë kërkesën e shtetit shqiptar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila bllokoi ekstradimin.

Janë Lord Lloyd-Jones, Lord Burrows dhe Lady Rose, tre anëtarët e Gjykatës Supreme angleze, të cilët i dhanë dritën jeshile drejtësisë shqiptare në kërkesën për apelim.

Në muajt në vazhdim, kjo gjykatë do të shqyrtojë nëse ishte i drejtë vendimi i Gjykatës së Lartë në Londër, e cila e bllokoi ekstradimin me kërkesën e mbrojtjes, pasi Yvette Cooper, ish-sekretarja e shtetit për punët e brendshme, kishte gabuar me emërtimin e akuzave kur lëshoi certifikatat e ekstradimit.

Në gusht 2024, Gjykata e Ekstradimeve në Londër pranoi kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar Edmond Haxhinë, Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, me akuzën “vrasje me paramendim”.

Por, siç edhe Top Channel ekskluzivisht e raportoi, sekretarja e shtetit gabimisht në certifikatën e ekstradimit vendosi akuzat e vjetra “Vrasja për shkak të gjakmarrjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Më pas, në maj 2026, Gjykata e Lartë pranoi apelimet e të pestëve, duke u bazuar në mospërputhjen midis kërkesave për ekstradim dhe asaj çfarë kishte firmosur sekretarja e shtetit dhe, si pasojë, urdhrat e ekstradimit u shfuqizuan.

Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt, që vijojnë të mbahen në një paraburgim të Londrës, ndërsa Harriet Bridgeman e lirë me kusht, akuzohen nën dyshimin se kanë marrë pjesë në një plan që çoi në vrasjen e Ardian Nikulajt.

Për këtë vrasje, disa muaj më parë, Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën.

 

 

ME TE LEXUARAT