“Jemi gati për të qenë qytetarë evropianë!” / 80 ditë qëndresë, Çepani: Reagimi po kthehet në vepra konkrete

Aktualitet

“Jemi gati për të qenë qytetarë evropianë!”

Aktivistja Edlira Çepani ka komentuar protestat kundër qeverisë në Shqipëri, të cilat kanë hyrë në ditën e 80,  duke i cilësuar ato si një ushtrim demokracie dhe si një tregues të rritjes së aktivizmit qytetar në vend.

E ftuar në News24, Çepani tha se mënyra e organizimit dhe zhvillimit të protestave po tregon një rritje të pjekurisë së grupeve qytetare.

Sipas aktivistes, Shqipëria është kthyer në një rast interesant për t’u studiuar nga ata që merren me aktivizmin dhe demokracinë, ndërsa përmendi edhe reagime nga Italia.

“Është një ushtrim demokracie që po i ndodh këtij vendi, që po ripërtërin leksionet e demokracisë që ne kemi marrë nga vende të ndryshme të botës që i shihnim si modele për të reaguar për të drejtat tona. Ka një rritje dhe pjekuri të grupimeve, të mënyrës si protestohet dhe sesi aktivizmi kthehet në vepra.

Për ata që duan ta studiojnë aktivizmin demokracinë Shqipëria është bërë një shembull interesant në vende të ndryshme të botës. Edhe vetë Italia ka thirrje që hajde ta bëjmë si Shqipëria, se ne nuk po flasim”, tha Çepani.

Çepani argumentoi se qytetarët shqiptarë po tregojnë se janë të gatshëm të luajnë një rol më aktiv në një shoqëri europiane.

“Këto janë gjera të rëndësishme që i çojnë shqiptarët në një nivel krejtësisht tjetër. Qytetarët po tregojnë se janë gati për të qenë qytetar aktiv evropianë. Shembulli që po japin, modeli i një reagimi që në 80 ditë nuk ka këputur asnjë lule është i jashtëzakonshëm edhe për ato vende perëndimore që kanë dekada që e ndërtojnë demokracinë”, tha aktivistja Edlira Çepani.

ME TE LEXUARAT