Vrasja dhe plagosja e efektivëve në Maliq/ AMP nuk konstaton shkelje mbi procedurat, RENEA nuk është detyrim. Braçellari zbrazi gjithë armët

Aktualitet

Vrasja dhe plagosja e efektivëve në Maliq/ AMP nuk konstaton shkelje

AMP dhe Prokuroria e Korçës bijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në fshatin Lozhan të Maliqit, ku Violand Braçellari, në përpjekje për t’i shpëtuar policisë ka qëlluar mbi efektivët, duke lënë të vdekur Enea Mekollin dhe plagosur në kokë Edison Adri.

Nga kontrollet nuk është gjetur municion, çka bën të besohet se Braçellari e ka përdorur të gjithë arsenalin që posedonte për të qëlluar mbi efektivët e përfshirë në operacionin për kapjen e tij.

Raportohet se në vendin ku fshihej i shumëkërkuari, policia ka gjetur edhe radio policie, teksa gjatë zhvillimit të operacionit, efektivët kanë fikur radiot e tyre për të mos interferuar me atë të Braçellarit.

Nga hetimet e Prokurorisë dhe AMP-së për zbatimin e procedurës dhe protokollit nga ana e Drejtorisë së Policisë së Korçës, nuk janë konstatuar shkelje.

Sa i takon mungesës së kërkesës nga ana e Policisë së Korçës për forca RENEA apo forcën operacionale, grupi hetimor bën të ditur se policia e Korçës ka vlerësuar në mënyrë korrekte rrezikshmërinë e Braçellarit, i cili ishte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda penale që lidhen me jetën.

Kërkesa për forca RENEA vlerësohet rast pas rasti dhe nuk është detyrim që zbatohet në çdo operacion policor.

ME TE LEXUARAT