Trafiku në autostradën Tiranë-Durrës? Gjobë për shoferët që...

Aktualitet

Trafiku në autostradën Tiranë-Durrës? Gjobë për

Punimet në segmentin e parë të Autostradës Tiranë–Durrës kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në qarkullim, duke bërë që një pjesë e konsiderueshme e trafikut të përqendrohet pranë nyjës së Rinasit, aty ku rruga ngushtohet dhe numri i korsive reduktohet.

Për të lehtësuar situatën dhe për të përmirësuar lëvizjen e automjeteve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka planifikuar një ndërhyrje të re infrastrukturore në zonë. Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se një nga pengesat kryesore për zgjerimin e aksit ka qenë një pikë karburanti e pozicionuar pranë degëzimit të rrugës që të çon drejt aeroportit të Rinasit.

Sipas tij, tashmë është miratuar procedura e shpronësimit dhe objekti do të hiqet, duke krijuar mundësinë për zgjerimin e rrugës dhe përmirësimin e qarkullimit në një nga pikat më problematike të aksit.

“Largimi i këtij objekti do të na lejojë të hapim më shumë hapësirë për lëvizjen e automjeteve dhe të reduktojmë ngarkesën që krijohet veçanërisht për drejtuesit që udhëtojnë drejt aeroportit”, shpjegoi Kozeli.

Kreu i ARRSH-së ngriti shqetësimin edhe për përdorimin e gabuar të korsisë së emergjencës nga drejtuesit e mjeteve, duke theksuar se kjo sjellje përkeqëson ndjeshëm situatën e trafikut.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke paralajmëruar se Policia Rrugore do të ndërhyjë me masa ndëshkuese ndaj shkelësve.

“Në shumë raste, korsia e emergjencës bllokohet nga automjetet, çka krijon vështirësi shtesë në një zonë ku trafiku tashmë ngushtohet për shkak të reduktimit të korsive. Kjo është një praktikë që duhet shmangur dhe do të monitorohet nga policia”, u shpreh ai.

Ndërkohë, pas përfundimit të sezonit turistik, autoritetet planifikojnë të nisin një tjetër projekt të rëndësishëm në këtë aks. Mbikalimi aktual i Rinasit do të shembet dhe në vend të tij do të ndërtohet një strukturë e re moderne me gjatësi rreth 94 metra.

Për të minimizuar ndikimin në qarkullim gjatë zhvillimit të punimeve, ARRSH ka parashikuar devijimin e trafikut përmes nyjës së Kasharit, duke synuar që lëvizja e mjeteve të vijojë me sa më pak pengesa deri në përfundimin e projektit.

 

ME TE LEXUARAT