Tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec, arrest me burg për dy rojet e 'Major Security'!

Kanë dalë para Gjykatës së Vlorës edhe dy punonjësit e sigurisë private, Artur Grami 35 vjeç dhe Gazmend Vathi 41 vjeç, të arrestuar pas dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në zonën e Zvërnecit.
Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë qenë të përfshirë në tërheqjen zvarrë të protestuesit Eduard Subashi gjatë protestës kundër projektit në Zvërnec, këtë 30 maj.
Më herët, në burg është lënë edhe Geraldo Biba, punonjës i “Major Security”, i akuzuar për dhunimin e protestuesit.
Vathi dhe Grami e mbajtën protestuesin me forcë në kabinën e rojës, pasi ai ishte goditur me grusht nga Gerald Biba, i arrestuar më herët për të njëjtën ngjarje.
Policia bën të ditur se Grami dhe Vathi nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga ndonjë subjekt privat, ndonëse vepronin si pjesë e kompanisë “Major Security”.
Rojet e “Major Security” u panë me maska të zeza në protestë dhe hodhën spraj me piper ndaj protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Nga hetimet rezultoi se Gerald Biba, i cili ndodhet me masë sigurie “arrest me burg”, ishte pronari faktik në hije i “Major Security”, kompani e regjistruar në emër të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Për shkak të shkeljeve të konstatuara, Policia e Shtetit vendosi t’u heqë licencat si “Major Security”, ashtu edhe kompanisë tjetër “Myrto Security”.
Përplasja në Zvërnec solli pasoja edhe në Policinë e Vlorës. Elidon Çela u shkarkua nga detyra për dështim në menaxhimin e situatës dhe në krye të Drejtorisë Vendore u komandua Edvin Ndreu.
Protesta që nisi në Zvërnec tashmë po vijon në Tiranë kundër ndërtimit të resortit turistik në zonën e mbrojtur. Aktivistët kundërshtojnë projektin, duke e konsideruar një kërcënim për ekosistemin, teksa kërkojnë anulimin e projektit.


