Berisha: Enea Mekolli është dy herë hero, vrasësi i tij financohej me fonde shtetërore. Duhet parë nëse ka pasur dekonspirim...

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët, shprehu ngushëllimet për familjen e punonjësit të policisë, Enea Mekolli, duke e cilësuar atë një ngjarje tronditëse që dëshmon, sipas tij, lidhjet e qeverisë me krimin dhe dështimin e shtetit për të garantuar rendin dhe sigurinë. •Berisha e cilësoi atë ‘dy herë hero’ për kontributin dhe sakrificën e familjes së tij në shërbim të sigurisë së qytetarëve.
Kreu i opozitës Sali Berisha akuzoi qeverinë se ka toleruar dhe mbështetur autorin e dyshuar të krimit, i cili sipas tij rezultonte prej vitesh në kërkim, por vazhdonte aktivitetin normal dhe përfitonte mbështetje financiare.
Sipas tij, vrasja e efektivit është prova më e qartë se rendi dhe siguria në vend janë lënë në duart e krimit.
‘Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve’, u shpreh ai.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha ngriti një sërë pikëpyetjesh për mënyrën se si u organizua operacioni policor që përfundoi me vrasjen e efektivit. Sipas tij, duhet të hetohet nëse njësia ku bënte pjesë Mekolli ishte ajo që duhej të kryente arrestimin e një personi të armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi përfshirjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend për të analizuar të gjithë operacionin dhe për të verifikuar nëse ka pasur dekonspirim të aksionit policor.


