Tensione para Parlamentit/ Makinat e deputetëve largohen nga Kuvendi, protestuesit godasin me vezë

Aktualitet

Tensione para Parlamentit/ Makinat e deputetëve largohen nga Kuvendi,

Makinat e deputetëve kanë lënë Kuvendin, ndërsa menjëherë protestuesit kanë gjuajtur me vezë.

Ndërkohë policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët. Mediat raportuan se disa protestues janë shoqëruar sërish nga policia.

“Një pjesë dolën nga pjesa e pasme e Parlamentit ku makinat i prisnin te Ministria e Brendshme, më pas nisën tensionet me një nga efektivët e policisë. Forcat Shqiponja u afruan për të shoqëruar protestuesit, por u tërhoqën. Nuk dihet se kush ishte deputeti brenda automjetit, shoqërimet u bënë pas goditjes me vezë. Ishin vetëm pak automjete dhe nuk dihet nëse ka deputetë të tjerë që pritet të largohen nga pjesa e Pedonales. Duket se ka urdhër që policët të spostohen. Mendohet se deputetët janë larguar. Po afrohet autoboti me ujë dhe pritet të përdoren sërish, por pritet urdhri”, thanë gazetarët

Ndërkohë ka shoqërime në pjesën anësore të Kuvendit, u shoqëruan dy protestues. Shoqërimi ka ndodhur pranë Pedonales e më pas pati një spostim pasi “Shqiponjat” u vendosën në gardh.

Protesta ka nisur që prej orës 08:30 të ditës së sotme ndërsa në orën 10:00 nisi edhe seanca plenare. Gjatë ditës ka pasur përplasje e tensione.

Ndërkohë Seanca plenare e Kuvendit e kësaj të enjteje, 23 korrik, u mbyll mes tensionesh të forta, debatesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të diskutimeve. Për shkak të situatës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar të 31 çështjet e parashikuara.

Mes tyre ishin rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit, KLP dhe KLGJ, disa projektligje e amendamente, si dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.

ME TE LEXUARAT