Kosovë/ 56-vjeçari humb jetën nga të shtënat me armë zjarri, dyshohet se u qëllua nga djali i tij

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në fshatin Strellc të komunës së Deçanit, ku një 56-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për një vrasje aksidentale brenda familjes. Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:42, në oborrin e një stani, ku është gjetur një person i plagosur rëndë i cili më pas ka humbur jetën.
Sipas burimeve, dyshohet se i biri ka qëlluar aksidentalisht me armë zjarri në drejtim të babait të tij, duke i shkaktuar vdekjen. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Me datën 23.07, rreth orës 13:42, kemi pranuar informata që në oborrin e një stani është një person i vrarë. Dyshohet për vrasje aksidentale dhe mes familjarëve. Është sekuestruar një armë zjarri dhe njësitet janë në vendin e ngjarjes”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.


