Të shtëna me armë jashtë një lokali nate në Athinë, një viktimë dhe një i plagosur

Një ngjarje e rëndë është shënuar orët e para të mëngjesit jashtë një lokali nate në Marousi të Athinës.
Rreth orës 03.30 janë shënuar të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë ka ndërruar jetë një 21-vjeçar, ndërsa ka mbetur i plagosur një 23-vjeçar.
Personat në fjalë janë grindur jashtë lokalit të natës dhe ka pasuar një shkëmbim të shtënash me armësh. Si pasojë e të shtënave 21-vjeçari mori një plumb në qafë që rezultoi dhe fatale për të, pasi si pasojë e plagës ndërroi jetë rrugës për në spital.
Ndërsa 23-vjeçari mori një plumb në këmbë dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje u gjet një gëzhojë plumbi 9 mm dhe një armë zjarri. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton shkaqet që çuan në tragjedi. Nuk dihet nëse personat e përfshirë në ngjarje kanë qenë brenda lokalit të natës kur kanë dalë jashtë dhe ka nisur sherri, apo ka ndodhur diçka tjetër. Sakaq, nuk dihet ende identiteti apo origjina e viktimës.

